Vendimi i Qeverisë/ Shkrihet Akademia e Studimeve Albanologjike, kalon në varësi të Gjinushit

Vendimi i Qeverisë/ Shkrihet Akademia e Studimeve Albanologjike, kalon në varësi të Gjinushit

Është publikuar sot vendimi i qeverisë për të shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike, duke e kaluar institutet e saj si institucione brenda Akademisë së Shkencave. Në VKM thuhet se ky institucion duhet të marrë masa që të vijojë ushtrimin e veprimtarisë së saj akademike, kërkimore-shkencore, administrative dhe financiare, deri në transferimin e plotë të njësive përbërëse pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kujtojmë që vendimi është kundërshtuar nga kërkuesja shkencore e ILGJ Ledi Shamku, dhe drejtori i IAKSA-s, Nebi Bardhoshi.

 

VENDIMI I QEVERISË

V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË AKADEMISË SË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE DHE RIORGANIZIMIN E NJËSIVE KRYESORE TË SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “l”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 19, të ligjit nr.53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe transferimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të saj tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
2. Njësitë kryesore ekzistuese, Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike riorganizohen si njësi të kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, brenda datës 31dhjetor 2023.
3. Të gjitha asetet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në administrim të Akademisë së Studimeve Albanologjike kalojnë në administrim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila ka detyrimin t’i ruajë dhe t’i mirëmbajë pasuritë në administrim dhe nuk mund të ndryshojë apo të tjetërsojë destinacionin e tyre, në përputhje edhe me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore.
4. Akademia e Studimeve Albanologjike ka këto detyrime:
a) Të marrë të gjitha masat për transferimin e studimeve për doktorantët e padiplomuar në ciklin e tretë të studimeve për fitimin e gradës shkencore “Doktor” në institucione të tjera të arsimit të lartë, vendase apo të huaja, që ofrojnë programe studimi në fusha të njëjta apo të ngjashme;
b) Të përgatitë dosjen për çdo doktorant, me dokumentacionin e nevojshëm dhe t’ia vendosë në dispozicion doktorantëve, pa detyrim financiar shtesë nga ana e tyre, brenda datës 31 gusht 2023;
c) Të përcjellë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dosjet e doktorantëve që nuk do të tërhiqen prej tyre, brenda datës 8 shtator 2023;
ç) Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e saj akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi për arkivat;
d) Të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar, deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim.
5. Akademia e Studimeve Albanologjike të marrë masa që të vijojë ushtrimin e veprimtarisë së saj akademike, kërkimore-shkencore, administrative dhe financiare, deri në transferimin e plotë të njësive përbërëse pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy