Xhaçka: Shqipëria konfirmon rolin e zëshëm në Politikën e Jashtme, me mbylljen e Asamblesë së OKB-së

Xhaçka: Shqipëria konfirmon rolin e zëshëm në Politikën e Jashtme, me mbylljen e Asamblesë së OKB-së

Është përmbyllur me sukses për Shqipërinë java e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku pjesë morën të gjitha vendet aderuese dhe ku Shqipëria e konfirmoi sërish qëndrimin e fortë pro-perëndimor dhe rolin e rëndësishëm në politikën e jashtme, të cilin e ka ndërmarrë me mandatin dy-vjeçar në Këshillin e Sigurimit.

Nëpërmjet një videomesazhi, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e ka përkufizuar si “një angazhim të paprecedentë” atë të Shqipërisë, në sferën e politikave ndërkombëtare.

Aspekte si lufta në Ukrainë, kriza ushqimore, apo reformimi i OKB-së, kanë qenë pjesë e tryezave të punës dhe fjalimeve të të gjithë liderëve botërorë.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka arritur të afirmojë edhe ura të rëndësishme të komunikimit me shumë vende të botës, për intensifikimin e raporteve.

Teksa, një marrëveshje konkrete për heqjen e regjimit të vizave, ka ardhur me Kazakistanin.

Kauza e Kosovës dhe nevoja për dialog, kanë mbetur në mënyrë të padiskutueshme në agjendën ndërkombëtare të Shqipërisë, me prioritet të lartë, ku synimi final është ai i perspektivës së qartë për integrim të Prishtinës në bashkësinë ndërkombëtare.

“Krenarë që Shqipëria është një vend zëri i të cilit sot dëgjohet dhe respektohet. Nuk jemi thjesht një spektator në arenën globale, por një kontribuues me ide konkrete”, e ka përmbyllur Xhaçka fjalën e saj mbi javën intensive të punimeve në OKB nga ekipi shqiptar.

 ‘Java e nivelit të lartë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB është gjithmonë një ngjarje e veçantë, me shumë intensitet e shumë ngarkesë. Në këtë sesion të 77, kemi pasur një angazhim vërtet të paprecedentë edhe për faktin që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Por jo vetëm kaq.

Ajo që mund të them me shumë krenari, por që besoj duhet të bëjë krenarë edhe qytetarët shqiptarë, është që vendi ynë gëzon tashmë në arenën ndërkombëtare një imazh serioz e të respektuar, Shqipëria është një vend zëri i të cilit sot dëgjohet dhe respektohet. Nuk jemi, siç ndodh shpesh me vendet e vogla, thjesht një spektator në arenën e madhe globale, por një kontribues me ide edhe në debatet e mëdha për krizën ushqimore, për agresionin rus në Ukrainë, e deri tek reformimi i OKB. 

Qoftë në tryezat e diskutimeve, qoftë në takime bilaterale, ne kemi ndarë qëndrimin e vendosur të Shqipërisë në linjë të plotë me vendet aleate e partnere, lidhur me dhënien fund luftës në Ukrainë, dënimin e agresionit rus dhe nevojën për llogaridhënie për krimet e tmerrshme që Rusia ka kryer në atë vend, për krizën e ushqimeve që po prek dhjetëra milionë njerëz apo për nevojën për të reaguar njëzëri në mbrojtje të sistemit ndërkombëtar që garanton paqen dhe sigurinë në botë. Duke i dhënë padyshim, një vend të posaçëm mënyrës sesi këto kriza po prekin rajonin tonë dhe mënyrave sesi duhet garantuar paqja e siguria në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova, nevoja për dialog e marrëveshje e për një perspektivë të qartë integrimi, kanë zënë një vend kyç. 

Nënshkruam në marzhet e Asamblesë edhe një marrëveshje për lëvizjen e lirë pa viza me Kazakistanin dhe vendosëm përmes një sërë takimesh bilaterale, ura të rëndësishme komunikimi me shume vende me të cilat ka ardhur koha që të investojmë për intensifikimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve. 

Kemi shumë punë përpara për t’i shfrytëzuar këto mundësi e për të shfrytëzuar këtë moment shumë të mirë për diplomacinë tonë, por ajo që mund të them pa asnjë hezitim, është që 9 muaj pas marrjes së mandatit në Këshillin e Sigurimit, vendi ynë ka bërë hapa të jashtëzakonshme në politikën e jashtme që jemi të vendosur t’i përkthejmë në rezultate konkrete e të prekshme për qytetarët shqiptarë.’

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy