Për të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovës-Serbi, Miroslav Lajçak, Prishtina dhe Beogradi duhet të fillojnë ta trajtojnë me prioritet e të bisedojnë për tema më madhore siç është marrëveshje gjithëpërfshirëse në vend se të diskutojnë për çështje teknike, raporton “Danas”.
Lajçak vuri në dukje se rruga drejt BE-së për të dyja palët është përmes dialogut dhe se "një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin është e nevojshme sepse kështu status-quo’ja, e cila nuk është e qëndrueshme thyhet.
Është shumë e rëndësishme që të kalojmë përtej fazës aktuale ku po flasim pothuajse çdo ditë me dy liderët vetëm për të shmangur tensionet dhe të fillojmë të flasim më shumë për tablonë e madhe.
Sipas Lajçak, pa normalizim të marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia nuk mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Duhet një marrëveshje sa më shpejt që është e mundur, dhe një gjë e tillë u takon palëve, palët duhet të bien dakord se çfarë përbërje duhet të ketë kompromisi për ta.
E në anën tjetër për të deleguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, serbët duhet të largohen nga narrativa se “Kosova është Serbi”.
Palët duhet të fokusohen te narrativa se Kosova dhe Serbia janë Evropë. Dhe kështu ata do të kenë një të ardhme të përbashkët që largohet me shpejtësi nga problemet e viteve të 90-ta dhe kanalizohet drejtë mundësive të shekullit 21-të.



