Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është shprehur i habitur me vendimin e presidentit Nishani për të thirrur Këshillin e Sigurisë për çështjen e Klement Balilit.
Gjatë analizës së Policisë së Shtetit të zhvilluar sot paradite në Berat, Tahiri u shpreh: “Këto ditë po çuditet publiku me thirrjen e Presidentit të Republikës Këshillit të Sigurisë për Balilin. E në fakt çuditet publiku sepse Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as per Lazaratin”.
Tahiri tha se ishte gati të informonte Këshillin e Sigurisë dhe pa asnjë diskutim edhe Presidentin e Republikës, i cili për arsyet e veta është i painformuar.
Megjithatë unë jam shumë i kënaqur të informoj Këshillin e Sigurisë dhe pa asnjë diskutim edhe Presidentin e Republikës, i cili për arsyet e veta është i painformuar. Por jam akoma më i bindur që asnjë pengesë, asnjë insinuatë, politike ose jo nuk do më ndalonte kurrë mua dhe aq më pak policinë e Shtetit të bënte detyrën ndaj atyre që deri dje ishin të pandëshkueshëm dhe atyre që deri dje ishin të pabarabartë dhe që nuk i prekte njeri.
Vendimi i Nishanit për të thirrur Këshillin e Lartë të Sigurisë erdhi pas një kërkese të kreut të Kuvendit, Ilir Meta.



