
Kryeministri Edi Rama duke folur në rubrikën “Sy më Sy” mohoi akuzat e Berishës dhe drejtuesit të fushatës së PD LaCivita se kryeministri shqiptar është kukull e Sorosit. Rama pranon miqësinë me George dhe Aleks Sorosin, por shton “mos i hani historitë me kukulla e me mjeshtra kukullash”.
Pyetje: O Rama, thotë ky Armando Ramaj, po si ta kishte publikuar Alex foton. Për inat të gojëve të liga, publikoje dhe ti foton me të, trego që je burrë jo....
Rama: Armando, shiko këtu, unë Alex Sorosin e kam pasur mik. Të atin e kam mik dhe i kam pasur dhe do i kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi që kemi shumë të qartë bashkë. Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që as nuk kanë lidhje fare, mua nuk më impresionojnë.
Dhe siç kam miq Alex-in, të atin, kam dhe miq të tjerë që nuk janë miq me ta por unë nuk bëj spekulime dhe abuzime me miqtë dhe mos u bëni qesharakë. Lërini historitë mes amerikanësh t’i zgjidhin amerikanët me njeri tjetrin. Mos gënjeni veten se këtu jemi ne kërthiza e botës etj. Kështu që, mos ma qaj hallin fare mua për miqtë e mi.
Unë kam shumë miq, të cilët mes tyre janë kundërshtarë apo janë armiq dhe nuk po filloj t’i numëroj, por merr shiko gjithë koleksionin e fotografive dhe takimeve të mia do të shohësh, jo një rast, por më shumë sesa një rast që kjo që po të them është mëse e vërtetë dhe është mëse e vërtetë në nivelet më të larta, ku kam privilegjin të jem, falë besimit dhe votës së popullit, kështu që këto historitë me kukulla e me mjeshtra kukullash mos i hani ose nëse doni t’i hani hajini, por nuk do t’ju çojnë asgjëkund”.



