Kreu demokrat Lulzim Basha është larguar nga situata e nxehtë politike e Tiranës dhe është nisur drejt Sofjes, ku do të marrë pjesë në samitin e Partive Popullore Europiane.
Basha do të shfrytëzojë takimet në PPE, për të kërkuar mbështetjen e tyre që Shqipëria të çelë negociatat me BE në muajin qershor.
Shkëputja e Bashës vjen në një moment shumë të tensionuar, pas publikimit të audio-përgjimeve të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Kryedemokrati do jetë pjesë e punimeve të samitit të PPE të mërkurën, më pas do kthehet në Tiranë për seancën parlamentare të së enjtes, e cila me shumë gjasë do të jetë e tensionuar.
Prej një jave, opozita ka vënë në shënjestër ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të cilit i ka kërkuar dorëheqjen, duke e akuzuar atë se ka ndihmuar vëllain e tij që të mos arrestohet.
Gjatë ditës së hënë, PD ka publikuar një audio-përgjim të Agron Xhafës, ku pretendohet se ai flet me një person për trafikun e drogës.



