
Katër të akuzuarit për futjen e bombolave të gazit në Kuvendin e Kosovës në shkurt të vitit 2016, ish deputetja dhe tanimë ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-deputetët Donika Kada-Bujupi, Besa Baftiu dhe Pal Lekaj janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale që ata akuzohen.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që në 2016-tën ishte deputet e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, para trupit gjykues tha se qëllimi i tyre nuk ka qenë kriminal por për të mbrojtur Kosovën nga cenimi i territorit.
“E kundërshtoj aktin si të tillë në vitin 2015-16 jemi përballuar me dy çështje shumë të ndjeshme ka qenë detyrë e jona si deputet të ndërmarrim veprime protestues në mënyrë që zëri dhe argumentet tona politike që nuk dëgjoheshin të marrshin parasysh. Qëllimi jonë nuk ka qenë kriminal sepse në një proces gjyqësor është i rëndësishëm edhe qëllimi ka qenë të mbrojmë Kosovën nga cenimi i territorit sikur ne mos t’i bënim ato veprime , atëherë do t’i i vuanim pasojat e tyre. Ne jemi krenar për ato veprime dhe nuk ndjehemi fajtor”, tha Haxhiu.
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi nuk i mohoi veprimet e saja, duke shtuar edhe se nuk ndjehet fajtore për ato veprime.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku bëri të ditur se shqyrtimi gjyqësor do të vazhdoj më datën 18 maj.
Aktakuza e Prokurorisë thotë se të akuzuarit Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj, në shkurt të vitit 2016, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.



