Drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj, duke folur në emisionin “FactCheck” mbi prokurimet publike, tha që problemi nuk qëndron te mungesa e standardeve teknike dhe inovacionit, por te vullnetet klienteliste që prishin procesin. E pyetur mbi përfshirjen e inteligjencës artificiale në prokurime, Brahaj tha se nuk e ka përdorur asnjë shtet në kontekstin që do ta përdorë qeveria shqiptare. Sipas saj kjo është alibia e radhës “për të thënë që defekti nuk qëndron te vullneti i atyre që na qeverisin”.
Niveli i lartë i korrupsionit është një fakt i njohur për administratat publike, sidomos për administratat publike të kontekstit të vendit tonë. Këtu nuk befasohemi kur shohim një përqendrim kaq të lartë të dëmit ekonomik, në një numër të caktuar të kontraktimeve apo procedurave, të audituar nga KLSH. Nuk ka nevojë të marrësh një auditim institucionial, mjafton të shohësh 20-30 tendera të javës, apo të ditës, mënyrën si njoftohen, si shpallen, si vlerësohen ofertat, si përqendrohen paratë në pak duar, në pak biznese, fakti që për shumë kohë nuk shohim kontraktor të huaj, kompani të huaja, që të vijnë të bëhen pjesë e një procedure, kjo tregon se jemi në një vështirësi sa i përket prokurimeve publike”.
E pyetur mbi nevojën e ndryshimit të ligjit për prokurimet publike, Brahaj tha:
Në shkurt të 2022, organizata jonë doli me një dokument, ku e njohu faktin që Shqipëria ka një ligj të ri për prokurimin publik, një bazë ligjore të kënaqshme, ku ka një sistem elektronik që ka mundësuar një zhvillim pozitiv në tenderim dhe konkurrencë për të fituar një kontratë publike, por ajo që pamë si problematikë është defekti që ka të bëjë me qeverisjen, ku sa më të mira bëhen ligjet, dalin disa ligje që konkurrojnë ligjet, ligje ekstra. Vet qeveria prodhoi një ligj për tenderime në kohë fatkeqësie natyrore, pa asnjë afati. Nuk u lë kohë operatorëve më shumë se 10 ditë operatorëve. Ky është ligji special. Po ashtu ligjet speciale janë disa kontrata që miraton Kuvendi. Kuvendi bën tendera në tavolinë, me karton. Këto janë tipike ligje korruptive dhe klienteliste. Më pyetët se pse do të duhet të ndryshojë ligji, thjesht për të krijuar një alibi që neve po punojmë për prokurimet publike, po tentojmë të përdorim inovacion dhe të bëjmë reforma. Ne s’kemi standarde teknike të munguara, por kemi vullnete klienteliste që prishin procesin”.
Teksa u ndal te inteligjenca artificiale, dhe mundësia e përfshirjes në procesin e prokurimeve në Shqipëri, Brahaj u shpreh:
Prokurimet publike s’e kanë defektin te sistemet elektronike, apo mungesa e inovacionit, por te dëshira klienteliste e palëve për ta përvetësuar atë që menaxhojnë. Kryeministri tha që do përdorim inteligjencën artificiale, sistemet robotike dhe kjo është e shkruajtur edhe në draft-ligj. Nuk e ka përdorur asnjë shtet në atë kontekstin që po kërkon ky draft-ligji i qeverisë shqiptare ta përdorë. Nuk ka guxuar. Kjo është alibia e radhës, për të thënë që ne po punojmë për zhvillime të mëdha, që defekti nuk qëndron te qëndrimet, te vullnetet, te integriteti i këtyre që qeverisin, por te zhvillimet që ne kemi nevojë të jenë të një niveli dhe kapaciteti tjetër. Sisteme të pilotuara ke? Sepse duhet ta pilotosh. Nuk po e gjej modelin. Ku i gjeti qeveria? Jam e vetmja që i jam kundërvënë kryeministrit në këtë lloj artikulimi. Duket e çuditshme që shumë njerëz janë entuziast për inteligjencën artificiale. Por këtu s’po flasim për një eksperiment, nuk po flasim për një departament kërkimor, po flasim për një procedurë të rëndësishme shtetërore”.



