Ish-deputeti socialist Petro Koçi, për zhvillimet në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste thotë se pakënaqësi ka gjithmonë dhe se nuk ka parti që mos të ketë brenda pakënaqësi.
Nga studio e “MCN Live” ai deklaroi se në asamblenë e fundit u vu re nervozizmi dhe ky mund të jetë përcaktori politik për ambientin që u krijua në atë mbledhje.
Sipas tij, kjo tregon se ka nevojë për t’u riparë se një parti e madhe si Partia Socialiste duke qenë dhe në pushtet ka nevojë për më shumë maturi më trajtimin e situatave, qofshin këto dhe me natyrë ndërpersonale.
Persona që për një arsye apo një tjetër mund të kenë një mënyrë të shprehuri që mund të krijojnë një situatë konflikti. Por lideri ose kryetari i partisë, duhet të jetë modeli i urtësisë dhe pjekurisë. Kjo mungoi dhe kjo që them, është që gjërat të trajtohen më me pjekuri. Kushdo që të kishte qenë në vendin e zonjës Elisa Spiropali, është në një moment delikat.
Unë sugjeroj pjekuri dhe vetëpërmbajtje nga shprehjet me natyrë emocionale. Nuk mendoj se ka ndonjë zhvillim për shprehjen e një pozicioni politik, nga ajo që quhet vija e përgjithshme. Edhe unë kur isha deputet i Partisë Socialiste e kam ngritur disa herë shqetësimin për certifikimin e pronave dhe Partia Socialiste nuk ka ecur me ritmin e gjërave të tjera, për këtë çështje banorët e zonave rurale kanë vërejtje të jashtëzakonshme.
Ata që kanë para i nxjerrin certifikatat shumë kollaj, të tjerët e kanë vështirë. Trajtimi i çështjes drejtpërdrejtë me drejtoreshën e ASHK-së dhe përgjegjësit kryesorë është një gjë shumë e mirëpritur, por shumë e vonuar. Rama në përgjithësi individë të tillë i mbron.
Ndërsa në Asamble deputeti Erion Braçe është ofruar për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, Koçi e sheh si një kandidaturë potenciale.
Kjo duhet të jetë një çështje që ndoshta nuk është shqiptuar thjesht në mbledhjen e Asamblesë së njësisë 5, mund të jetë diçka e artikuluar në biseda më konfidenciale. Erioni është një figurë socialiste me tradita. Erioni është te parametrat që e bëjnë një kandidat potencial për bashkinë e Tiranës.
Nuk ka lidhje me faktin që i ul dinjitetin dikujt tjetër, në këtë rast Ogerta Manastirliut, për mua është një zhvillim shumë normal. Kështu që le të shohim zhvillimet e mëtejshme, por nuk mendoj se do të ishte e udhës të mendohej si një kandidaturë e pavarur.
Duhet të jetë kandidaturë brenda Partisë Socialiste dhe nëse PS nuk e cakton kandidat, Erioni nuk ka pse të bëjë një luftë më vete, për të garuar për Bashkinë e Tiranës. Gara në Tiranë është shumë politike, përtej individëve.



