
Komisioni i Ligjeve ka votuar Altin Binaj si kandidat për anëtar në Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidatin për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, z. Altin Binaj. Për shkak të mbarimit para kohe të mandatit të gjyqtarit z. Fatos Lulo, Kuvendi shpalli vakancën më datë 28.08.2020 dhe më pas e rishpalli më datë 21.08.2019 dhe 24.09.2020.
Në nisje të mbledhjes, z.Manja parashtroi se kandidatura e z.Altin Binaj është dërguar si kandidaturë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të datës 14.12.2020.
Z.Binaj bëri një prezantim të eksperiencës së tij profesionale, arsyet që e shtynë për të kandiduar, si dhe objektivave që synon të arrijë në pozicionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Relatori Adnor Shameti e vlerësoi procesin si një moment shumë të rëndësishëm, pasi në këtë mënyrë Kuvendi plotëson të gjitha detyrimet që ka si legjislativ në përzgjedhjen e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Z. Shameti theksoi se kandidatura e z.Binaj, e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi plotëson të gjitha kriteret që parashikon Kushtetura e Shqipërisë, ligji “Për organizimin dhe funsionimin e Gykatës Kushtetuese, si dhe Rregullorja e Kuvendit.
Deri më tani, Altin Binaj është kandidati i vetëm i Kuvendit për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Ai pritet të votohet në seancën e ditës së enjte.
Aktualisht gjykata Kushtetuese ka katër anëtarë, Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgjin.
Që ky institucion të jetë funksional, duhet të ketë të paktën gjashtë anëtarë.



