Gjatë fjalës së tij në Kuvend nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, deklaroi se votimi dhe numërimi elektronik nuk është i mundur, duke parë kohën e paktë në dispozicion.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Balla iu përgjigj kërkesave të opozitës duke theksuar se për të implementuar votimin dhe numërimin elektronik, do të duhen së paku 2 vite kohë.
Kjo sipas Ballës është thënë edhe nga deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi në vitin 2012.
“Zotëria është një certifikues zgjedhjesh me njollë. Kur ne luftonim me këtë zotërinë këtu që po na vidhte mandatin e Bashkisë së Tiranës, zotëria doli dhe tha se mandatin e keni humbur. Tani po merrem me zotin Bylykbashi. Tani unë nuk di cilin prej bylykbashëve të besoj, të vitit 2012 apo të 2017. Në vitin 2012, ai thoshte, që votimi elektronik, nuk mund të implementohet pa pasur 2 vite më parë përgatitje. Po bërë votim elektronik të ta sqaroj, numërimin elektronik e ke brenda. Ky është një investim që shkon deri në 60 milionë euro, dhe në testin e parë dështoi dhe iu desh edhe 28 milionë euro të tjera. Në fillim duhet tenderuar, dhe pas duhen edhe 6-9 muaj të tjerë për të certifikuar, dhe më pas duhen edhe 3 muaj të tjerë për të bërë një test kombëtar.” u shpreh Balla
Balla sqaroi se PS nuk është kundër votimit elektronik, por se koha nuk është e mjaftueshme. Prandaj ai shtoi se për zgjedhjet e 2017 do të përdoren rekomandimet e OSBE-ODIHR.



