
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe grupi i Partisë Demokratike kanë shkuar në mbështetje të protestës së banorëve të Unazës së re, të cilët kundërshtojnë me forcë projektin.
Kryeopozitari ka kërkuar që të gjithë qytetarët të bashkohen me protestën e studentëve, të cilën e quajti madhështore.
Gjatë fjalës së tij Basha shtoi se Rama po luan me nervat dhe shëndetin e studentëve, dhe për këtë gjë të gjithë qytetarët duhet të jenë në mbështetje të tyre.
"Sot e gjithë Shqipëria është ngritur në protestë. Protesta nga më madhështorja që është ajo e studentëve, por dhe protestat e tjera. Kjo tregon gjendjen alarmante që po kalon Shqipëria. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, të dalin masivisht në protestën e studentëve. Rama po luan me nervat dhe shëndetin e tyre në këto ditë të ftohta. Unë u drejtoj një ftesë të gjithë qyteteve, që të bashkohen me studentët. Vetë partia demokratike ka tre vite që kërkon shfuqizimin e Ligjit të Arsimit ë lartë”, u shpreh ndër të tjera Basha.
Basha tregoi se tek projekti i Unazës së Re ka edhe një aferë të re korruptive, të cilën PD po e shqyrton dhe në ditën në vijim tha se do të bëhet publike.
"PD ka ndihmuar banorët në këtë padi me ekspertët e saj. Planin ia kanë prishur studentët, ndaj është sulur për ti mbrojtur, por s’ka për t’ia dalë dot. Të gjitha tenderat fitohen në garë të dyshimta. Tek unaza e re ka edhe një aferë tjetër, dhe ne po merremi me shqyrtimin e dokumenteve, ne do t’i bëjmë publike në ditët në vijim. Ne jemi në radhë të parë në mbështetje të banorëve dhe studentëve, jam i bindur se Edi Rama do të largohet një orë dhe më parë", tha Basha.



