Qeveria do të financojë universitetet publike që paraqesin projekte për kërkimin shkencor. Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se vendimi është marrë pas konsultimit të modeleve më të mira.
Të gjitha universitetet me programe prioritare apo që kanë programe të përbashkëta me universitete botërore do të përfitojnë financim shtesë. Këtë model të financimit e kemi konsultuar me modelet më të mira.
Ministrja Kushi tha se ky është një model që nxit konkurrencën e lirë midis universiteteve që kanë të njëjtin status, ofron mundësi të barabarta në varësi të statusit që kanë universitetet dhe nxit performancën e universiteteve, për sa i takon mësimdhënies, kërkimit shkencor, veprimtarive krijuese, bazuar në treguesit e cilësisë.
Menjëherë pas miratimit të këtij vendimi ministrja tha se do të shpallet një thirrje për të gjitha universitetet publike që të aplikojnë me projekte për financim shtesë për kërkimin shkencor në kuadër të ndërkombëtarizimit, për të mbështetur këto programe të përbashkëta apo të dyfishta të studimit.
Modeli nxit konkurrencën e lirë mes universiteteve të të njëjtit status. Do të shpallim thirrje për universitetet që të aplikojnë me projekte për kërkimin shkencor. Universitetet mund të aplikojnë për financim për laboratorë.
Ajo shtoi se të gjitha ato universitete që janë të përfshira në procesin e ndërkombëtarizimit, dhe që kanë nevojë për infrastrukturë shtesë, siç mund të jenë laboratorët, mund të aplikojnë në këtë thirrje dhe të marrin financim shtesë në mënyrë që të rrisin performancën dhe të realizojnë qëllimin që kanë këto programe studimi.



