
Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, ka theksuar rëndësinë e dialogut, respektimit të institucioneve dhe mbrojtjes së vlerave evropiane gjatë zhvillimeve dhe protestave aktuale në vend.
Ajo nënvizoi se Bashkimi Evropian mbetet destinacioni i Shqipërisë dhe se zëri i qytetarëve duhet të shërbejë si një mundësi reflektimi për të vendosur shtetin e së drejtës mbi çdo interes.
Bashkimi Europian është destinacioni ynë – Familja Europiane është përkatësia jonë çdo ditë, edhe sot!
Protesta dhe zëri i qytetarëve na kërkojnë të reflektojmë me përgjegjshmëri të lartë mbi Shqipërinë europiane që duam e po ndërtojmë me atdhetari, vendin ku zëri i qytetarëve dëgjohet, institucionet respektohen dhe shteti i së drejtës është mbi çdo interes.
Të jesh europian do të thotë të kesh guximin të ngresh zërin, urtësinë të respektosh ligjin dhe forcën të mos e kthesh dallimin në largësi mes nesh.
Paqja nuk është heshtje, as urtësia indiferencë. Ato janë forca për të mbrojtur vlerat europiane, respektin njerëzor dhe Shqipërinë.
Shqipëria i përket familjes europiane nga aspirata e të gjithë shqiptarëve, si dhe nga vlerat me të cilat zgjedh të jetojë çdo ditë.
Sot jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës europiane mbi 30-vjeçare! Ky është një moment historik për të gjithë!
Së bashku, lutem, të ndërtojmë urat e DIALOGUT dhe çdo hap drejt Familjes së Përkatësisë – Bashkimit Europian!



