Një ditë më parë, ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, u la i lirë me kusht pas 9 muajsh burg. Avokati Ledio Braho tha në studion e MCN Informacion se ndaj Salianjit u montua një proces politik. Sipas tij, këtë e tregon edhe fakti se Gjykata e Lartë nuk ka zbardhur ende vendimin për mospranimin e rekursit të kërkuar nga Salianji.
Ishte vendim i pritshëm, nuk mund të pretendosh se zoti Salianji nuk i plotësonte kushtet. Për më tepër, Salianji nuk përbën ndonjë rrezikshmëri shoqërore. Pranimi i fajësisë ka qenë i pagjasë. Nuk e ka menduar kurrë të bëjë marrëveshje, sepse ka pretenduar gjithmonë se është i pafajshëm. Ajo për të cilën u dënua Salianji lidhet me denoncimin e narkotrafikut, pra ka qenë në vazhdën e aktivitetit të tij politik. Fakti që kur u kthye shkoi në PD tregon se ai ka qenë një i burgosur politik. Nuk u provua asnjë akuzë, por rrethanat ishin të tilla që ai duhej të dënohej. Ai e di vetë rrugën që do të ndjekë në PD. Por duhet të kemi parasysh se që nga 11 marsi, kur Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin, nuk ka ende një vendim të zbardhur. Afati ka kaluar me dy muaj dhe kjo na ka bërë që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Është çështje e rëndësishme sepse zoti Salianji tani cenohet nga ligji i dekriminalizimit. Nuk kemi të bëjmë me reformë në drejtësi. Ka deformim të drejtësisë. Nuk shohim pavarësi dhe paanshmëri. Po shohim që një koment nga kryeministri ndikon në vendimin e gjykatave.



