Pas rezultatit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, Partia Demokratike ka pranuar rezultatin ndërsa është shprehur se pavarësisht kësaj, ata do të ecin para. Kështu, pasditen e kësaj të mërkure, ka reaguar edhe dega e PD në Shkodër. Në këtë qark, demokratët arritën të merrnin 5 mandate, ndryshe nga çfarë vetë ata prisnin.
Dega e PD Shkodër thotë se garonin përballë një force të errët të krimit të organizuar, ndërsa sipas tyre, kishin ngritur edhe struktura të sofistikuara oër shit-blerjen e votës.
Deklarata e PD-së, Shkodër
Të dashur bashkëqytetarë, kur kanë mbetur edhe pak orë nga përmbyllja e procesit të numerimit të votave për kandidatët e subjekteve politike, vullneti Juaj rikonfirmoi si forcë të parë me diferencë të madhe me kundërshtarin Partinë Demokratike. Kush më mirë se ju e di se kjo e jona ishte një fitore që nuk diskutohej, por që përballë kishte forcat e errëta të krimit të organizuar, struktura të sofistikuara të shit-blerjes së votës dhe mekanizmat e intimidimit të qytetarëve me qëllim tjetërsimin e vullnetit të tyre.
Por Shkodra, si çdo herë tjetër, qëndroi burrneshë dhe doli faqebardhë. Numri i lartë i votave të pavlefshme si në qarkun tonë ashtu edhe në të gjithë Shqipërinë tregon që mashtrimi elektoral ka vazhduar nga ana e PS dhe aleatëve të saj në krim, deri në tavolinat e numërimit, ku numëruesit e tyre janë parë me zë dhe figurë duke plotësuar në shkelje flagrante të ligjit fletët e votimit.
Të dashur shkodranë, misioni i Partisë Demokratike dhe i kryetarit të saj Lulzim Basha nuk ndalet këtu, por ai vijon deri në çrrënjosjen e sistemit të instaluar dhe rikthimin e shpresës per Shqipërinë dhe shqiptarëve.
Partia Demokratike Shkodër vazhdon të jetë në mbështetjen tuaj ashtu sikurse ka qenë gjithmonë. Partia Demokratike mbështet kryetarin Lulzim Basha në misionin e tij. Ecim përpara me Lulzim Bashën.



