
Kreu i qeverisë, Edi Rama, ndodhet në Gjirokastër ku zhvilloi edhe mbledhjen e radhës së qeverisë. Në një dalje për mediat, kryeministri deklaroi se qeveria do të ndërhyjë për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e rrëshqitjeve të dheut në "Kodrën e Shtufit".
Ai shprehu keqardhjen për mosgatishmërinë e Bashkisë Gjirokastër, e cila drejtohet nga Zamira Rami e LSI-së.
"Faktikisht për fat të keq nuk ka pasur shumë gatishmëri nga ana e Bashkisë por është kapërcyer me kryerjen e studimit të plotë dhe të projektit nga qeveria dhe pavarësisht kostos relativisht të lartë të projektit ne jemi angazhuar që ta bëjmë të plotë ndërhyrjen dhe ta zgjidhim njëherë e mirë atë problem në atë pikë të qytetit që është edhe një shqetësim real për shumë banorë në atë zonë", tha Rama.
Rama tha se ka përfunduar faza e parë e programit të Rilindjes Urbane të zemrës së qytetit, ku janë bërë ndërhyrje në banesat që ishin në rrezik shembjeje, si dhe tregoi edhe për projektet e reja që qeveria do të ndërmarrë në këtë qytet.
“Fillon së shpejti ndërtimi i By-Pass të Tepelenës, si dhe ndërtimi i rrugës Kardhiq-Delvinë, që është një investim i fuqishëm strategjik. Janë një sërë projektesh të tjera që lidhen me të gjitha bashkitë e qarkut të Gjirokastrës, ndërhyrjen në ujësjellës, si dhe projekte që janë pjesë e programit të qeverisë për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore që do të transformohen tërësisht, si dhe 52 shkollat që nisin rindërtimin në muajt e ardhshëm, ku edhe Gjirokastra ka pjesë”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, ai shtoi se Gjirokastra është pjesë e programit të 100 fshatrave, ku 13 fshatra në këtë qark janë përzgjedhur për zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit.
Nuk kishte si të mos binte në sy edhe veshja e kryeministrit Rama, pasi në konferencën për mediat, kreu i qeverisë ishte veshur me kostum sportiv.



