Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku të enjten deklaroi se biznesi i vogël në vend po vazhdon të paguajë më shumë taksa me përjashtim të Tatim Fitimit që u shty në kohë, pas këmbënguljes së vazhdueshme të opozitës, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mashtron qytetarët.
Përmes një deklarate për mediat, Tabaku thekson se në këtë kohë krize dhe emergjence kombëtare, biznesi i vogël njëkohësisht duhet të paguajë taksa të rritura në raport me vitin e kaluar.
Ajo shpjegon se një biznes duhet të paguajë 25 mijë lekë më shumë taksa, e thënë ndryshe, sa një rrogë minimale për një punëtor.
“Biznesi do të paguajë 11% më shumë se sa vjet ndonëse ekonomia në total do të zbresë sa 5% e GDP dhe konsumi pritet të zbrezë më shumë se 11%”, tregon ajo.
Ish-deputetja demokrate, bën me dije se Qeveria i kërkon këtij biznesi të paguajë taksa më shumë, megjithëse ka 2 muaj që nuk hap qepenat fare dhe në vend që të ndihmojë njerëzit e bizneset të përballojnë krizën, ajo i gënjen dhe ju rrit taksat atyre.
Sipas saj, të rrisësh taksat në këtë periudhë emergjence nuk është vetëm kundër logjikës së tregut, por të rrisësh taksat sot është kriminale.
“Mbi 500 mijë shqiptare të punësuar në sektorin privat që sot janë të mbyllur kanë humbur rrogën e tyre mujore. Ata jo vetëm nuk po marrin asgjë nga shteti, por biznesi vazhdon të taksohet madje edhe ti shtohen taksat”, tha ajo.
Tabaku tha se shqiptarët po kalojnë një situatë të vështirë, pasi janë braktisur nga shteti. Për të, shqiptarët, meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe të ndihmohen ekonomikisht, sepse kanë paguar taksa këto 7 vjet.
“Fatkeqësisht, qytetarët shqiptarë nuk po vuajnë vetëm nga virusi por dhe nga një qeveri e korruptuar dhe një kryeministër i dështuar”, shprehet ish-deputetja demokrate.



