Avokati Franc Nuri për Task-Forcën e ngritur nga SPAK për krimin zgjedhor, deklaron se nuk ka transparencë lidhur me ecurinë e kësaj strukture.
Duke folur për “MCN Live”, ai tha se deri më tani nuk është parë asnjë arrestim në flagrancë, apo të jetë hetuar për krime zgjedhore nga ana e SPAK.
Dje depozitova një kërkesë ku kërkoja informacion nga SPAK se çfarë po bëhet me këtë Task-Forcën e dedikuar për krimet zgjedhore, sepse është thënë që vitin e kaluar në parlament kur raportoi zoti Dumani dhe paralajmëroi ngritjen e strukturës, e cila në janar u lançua, ne nuk kemi një transparencë lidhur me ecurinë e deritanishme të kësaj strukture.
Deri tani nuk kemi parë një arrestim në flagrancë, apo të jetë hetuar për krime zgjedhore nga SPAK.
KQZ ka pasur memorandume bashkëpunimi me SPAK.
Është bërë e ditur gjithashtu se SPAK do të merrte indicie edhe nga denoncimet në platformën e KQZ, nga shoqata të ndryshme, subjektet që bëjnë denoncimet.
Te platforma e SPAK për krimet zgjedhore është lënë një numër telefoni, një platformë online, por nuk kemi informacion se sa raste janë nën hetim.
Nuk po kërkojmë detaje, por duam thjesht statistika. Nga janari deri në prill çfarë ka ndodhur me këtë strukturë të posaçme për hetimin e krimit zgjedhor.
Kemi kërkuar të na vihet në dispozicion se sa hetime janë kryer me iniciativë të vetë kësaj strukture, pa denoncim dhe indicie.
Merakun e kemi te numri i hetimeve, thjesht numri i hetimeve për krimet zgjedhore.



