
Kryeministri Edi Rama nga Skrapari nuk i ka kursyer sulmet për presidentin Ilir Meta, i cili ka një lidhje të fortë me këtë qytet.
Nga podiumi ku të pranishëm ishin socialistë, Rama kërkoi një gotë raki për të bërë një dolli për Metën dhe familjen e tij, ndërsa theksoi se nuk i do të keqen pasi ka ngrënë bukë me ta.
“Sikur të kishim dhe pak raki këtu Nasip, do ishim….por po të kisha një gotë rakie këtu do e ngrija me shumë sinqeritet për shëndetin e Ilir Metës dhe familjen e tij, patjetër, kam ngrenë bukë me ta s’dua ti shoh keq. Pastaj do e ngrija për referendumin e Vlorës dhe votën Skraparit që të jetë një referendum që t’i thotë Ilirit; boll tani dhe zbrit nga maja se na turpërove”, u shpreh Rama.
Nga ana e tij zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” i është përgjigjur deklaratave kritike të kryeministrit Rama, për Presidentin.
Blushi shkuan se Meta është krenar që ka lindur dhe i përket popullit të Skraparit. Po ashtu ai shprehet se kryeministri mund të blejë çdo gjë tjetër, veç dashurisë së Ilir Metës për Atdheun.
“Zoti Rama, Ilir Meta ka qenë dhe do të jetë gjithmonë krenar, që ka lindur dhe i përket popullit të Skraparit. Skrapari gjënë më të shenjtë ka pasur dhe do të ketë Atdheun dhe lirinë. Fatkeqësia jote është që mund të blesh çdo gjë përveç dashurisë së Ilir Metës për Atdheun”, shkruan ai.



