
Ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, se bashku me drejtuesen e departamentit antikorrupsion në PD, Lealba Pelinku kanë denoncuar sot koncensionin për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, duke u shprehur se ka dyshime mbi një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash nga kompania ANK shpk.
Sipas tyre, një nga kompanitë në garë është ajo e ish-deputetit të PS-së, Agim Kola, ndërsa kompania tjetër nuk ka asnjë kapacitet.
“Është një nga aferat më korruptive të qeverisë Rama bëhet fjalë për projektin 260 mln euro të rrugës prej 17 km të rrugës Milot-Balldren. Qytetarët dinë se do të paguajnë 16 mln euro për një kilometër, por vlera e saj mund të rritet duke e kthyer kontratën në një skemë korruptive. Afera është pothuajse e ngjashme si me Unazën e Re ku një km kushton 20 mln euro, ndryshimi është se këtu nuk u shpik një kompani me dokumente të falsifikuara ppr qeveria ia dha PPP me ofertë të pakëruar një komanie të vogël që është në pronësi të ish-deputetit të PS-së, Agim Kola”,- tha Tabaku.
Duke iu referuar dokumenteve që publikoi, Tabaku tha se për të kuptuar atë që e quajti skemë mafioze duhen shpjeguar kostot e këtij projekti.
“Në buxhetin e vitit 2018 ky projekt u parashikua me 113 mln euro, më pas tenderi u hap me 50 mln euro më shumë, duke e çuar vlerën në 161 mln euro, duke lënë mundësi në dokumentet e tenderit që vlera të shkonte më shumë. Në kontratën e depozituar në Parlament vlera shkon në 216 mln euro dhe bashkë me TVSH do të kushtojë 265 mln euro, por kjo nuk është vlera përfundimtare. Vlera totale që Ministria e Financave ka llogaritur deri në vitin 2032 është në total 36 mld euro, plt 295 milion euro Pra shteti ka lënë hapësirë deri në 295 mln euro për tu paguar. Kjo rritje skandaloze do bëhet me një vendim Parlamenti. Kontrata lë hapësirë që vlera të ndryshojë sërish”, tha Tabaku.
Tabaku, kërkoi ndër të tjera që Prokuroria të nisë hetimet, pasi sipas saj, pasojat për këdo që firmosë do të jenë shumë të rënda.



