Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e mbledhur mëngjesin e kësaj të hëne nga Presidenti Bajram Begaj e cila ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta.
Gazetari Mariglen Kume gjatë një raportimi për ‘MCN Live’, bëri me dije se ndryshe nga herët e tjera, në këtë mbledhje kanë qenë të pranishëm vetëm përfaqësues zyrtarë të institucioneve kyçe të vendit.
Në tryezën e diskutimeve, ku numërohen rreth 13 përfaqësues të lartë të shtetit, spikat prania e krerëve më të rëndësishëm të ekzekutivit, si Kryeministri i vendit, Ministri i Brendshëm, Ministri i Mbrojtjes.
Deri më tani, diskutimet janë mbajtur larg vëmendjes së medias, ndërsa pritet që në vijim të zbardhen çështjet kryesore të rendit të ditës dhe vendimet e marra në këtë takim të nivelit të lartë të sigurisë.
Pritet që kryeministri t’ja sugjerojë presidentit emrin e ri të kreut të SHISH. Kreu i shtetit pritet që të dekretojë më pas drejtuesin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Po ashtu, pritet që drejtuesi i ri i SHISH të zgjidhet, pas nënshtrimit të një vettingu, pas skandalit të fundit me Vlora Hysenin.
Për çështjen, kryeministri Edi Rama është shprehur se hetimi është në kompetencën e drejtësisë. Në të njëjtën kohë, ai ka nënvizuar përgjegjësinë e shtetit për garantimin dhe mbrojtjen e institucioneve që lidhen me sigurinë kombëtare.



