Komisionari Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se rrugët evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalojnë nëpërmjet dialogut duke kërkuar kësisoj progres në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Me këtë rast ai i ka bërë thirrje Kosovës ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në konferencën e Komisioneve Parlamentare për Çështje të BE-së në Budapest, Varhelyi është shprehur se pret që palët t’i vazhdojnë përpjekjet për depërshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve.
Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë nëpërmjet dialogut.
Presim që palët t’i vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për depërshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve të tyre, në kuadër të dialogut, duke nisur me dërgimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Varhelyi ka folur edhe për gjendjen aktuale të procesit të zgjerimit të BE-së, duke shprehur besimin se komisioni i ardhshëm do të jetë Komisioni i Zgjerimit. Sipas tij, BE-ja është e angazhuar në sigurimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.



