I vetëshpallur edhe më herët si kandidat për Bashkinë e Tiranës, Gert Bogdani zyrtaroi këtë të dielë kandidaturën në primaret e PD për kryeqytetin, duke u bërë i dyti Anëtari i Këshillit Kombëtar pas Belind Këlliçit që synon të marrë drejtimin e bashkisë më të madhe në vend.
Pa u ndalur te rivali i tij brenda partisë, Bogdani akuzoi kryebashkiakun aktual Erion Veliaj si të korruptuar teksa i kërkoi demokratëve të Tiranës ta mbështesin në sfidën e primareve.
Në primaret e Tiranës do të jenë vetëm kandidatë nga Partia Demokratike.
Aleati i saj Partia e Lirisë është tërhequr nga gara për kryebashkiakun e Tiranës, por do të synojë shumicën në Këshillin Bashkiak. Drejtori i kabinetit, Eriol Braimllari në MCN e ka parë me pozitivitet kandidimin e Këlliçit dhe Bogdanit teksa garantoi se partia e Metës do të mbështesë cilindo që fiton në primare.



