
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot besimtarët katolikë dhe ungjillorë me rastin e festës së Pashkës, e cila simbolizon Ringjalljen e Krishtit.
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit theksoi domethënien e kësaj dite të shenjtë, duke e cilësuar Pashkën si besimin se e mira triumfon mbi të keqen, mundimi mbi padrejtësinë, dashuria mbi forcën dhe drita mbi errësirën.
Gjatë kësaj dite, Presidenti zhvilloi një vizitë në Kishën e Shëngjinit në Lezhë, ku u prit nga Dom Angjelin Krygja, besimtarë dhe përfaqësues të komunitetit lokal. Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e komunitetit katolik në forcimin e vlerave kombëtare dhe shoqërore.
“Nga Kisha e Shëngjinit në Lezhë, në këtë ditë të shenjtë të Pashkës, dua t’u përcjell të gjithë shqiptarëve që festojnë sot urimet e mia më të përzemërta për paqe, shpresë dhe bekim”, u shpreh Presidenti Begaj, duke nënvizuar rëndësinë e mesazhit që përcjell kjo festë.
Vizita përkoi edhe me momentin e veçantë të bekimit “Urbi et Orbi” nga Vatikani, dhënë nga Papa Leoni, i cili u shfaq në ballkonin e Sheshit Shën Pjetër në prani të Kardinalit shqiptar Dom Ernest Troshani.
Presidenti Begaj e ndoqi këtë ceremoni drejtpërdrejt nga kisha, së bashku me besimtarët. Në përfundim, ai përcolli urimin e tij për festën.
Pas mesazhit ‘Urbi et Orbi’ të Papa Leonit, një mesazh i imi nuk mund të jetë në të njëjtën lartësi, por dëshiroj të uroj të gjithë shqiptarët që festojnë këtë ditë të shenjtë: Gëzuar Pashkën! Qoftë kjo ditë burim paqeje, shprese dhe bekimesh për çdo familje.



