
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot priti në një takim pune ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Ambasadori Minxhozi e falënderoi Kurtin për vendimin që mori Qeveria Kurti në mbledhjen e fundit me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për t’i liruar nga detyrimi për pajisje me leje pune afatshkurtër shtetasit e Shqipërisë.
Në komunikatën nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se ky vendim, i cili është zvarritur për shumë vjet nga qeveritë e kaluara, ua lehtëson qytetarëve shqiptarë jashtëzakonisht qëndrimin në Kosovë.
Më tej bëhet e ditur se Kurti dhe ambasadori Minxhozi u dakorduan që duhet vazhduar me shembuj të tjerë të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen e afërt.
“Shtetet dhe qeveritë tona duhet dhe do të angazhohen për të mirën e përbashkët të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.



