
Kuvendi dhe Prezenca e OSBE-së kanë nënshkruar aktin e dhurimit që siguron infrastrukturën virtuale të desktopit (VDI) për Kuvendin e Shqipërisë.
Akti i dhurimit u nënshkrua sot nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genc Gjoncaj dhe Kreu i Prezencës së OSBE-së Vincenzo Del Monaco, në praninë edhe të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, dhe Ambasadorit zviceran Adrian Maitre.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, nënvizoi se “Kjo marrëveshje do të do të lehtësojë ligjbërjen, konsultimin publik, sigurinë dhe aksesueshmërinë e informacionit parlamentar. Kuvendi i Shqipërisë i është mirënjohës Qeverisë së Zvicrës dhe OSBE-së që mundësuan ndërtimin e këtij sistemi dhe kemi besim se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë.”

Infrastruktura virtuale e desktopit (VDI) do të përdoret nga deputetët dhe stafi administrative i Kuvendit për të përmirësuar komunikimin, punën nga larg si dhe për të lehtësuar procesin për legjislacionin elektronik.
Në kushtet e përshtatjes me kufizimet e COVID-19 kjo infrastrukturë mundëson një rrjedhë më të mirë të proceseve të punës. VDI jep më shumë zgjidhje, më shumë siguri dhe më shumë shpejtësi për punën si nga zyra ashtu edhe nga larg.
Ky ishte një investim i përbashkët midis Kuvendit dhe projektit ‘Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Civil’ që zbatohet nga OSBE dhe mbështetet nga Zvicra.




