Deputetet Malinda Bregu dhe Arta Dade kanë përfaqësuar Shqipërinë në mbledhjen e kryetarëve të komisioneve parlamentare të integrimit europian dhe të politikës së jashtme, në kuadër të presidencës Malteze të Bashkimit Europian.
Në këtë takim u prezantuan prioritetet e presidencës malteze si migrimi, siguria, tregu i përbashkët, përfshirja sociale, etj., si dhe programi i punës së Komisionit Europian për vitin 2017, i prezantuar nga zv. Presidenti i parë i Komisionit Europian, Frans Timmermans.
Arta Dade, kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bregu, kryetare e Komisionit të Integrimit Europian, zhvilluan një bisedë me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit Maltez dhe kërkuan që procesi i zgjerimit të jetë në vëmendje të Presidencës Malteze me qëllim avancimin e mëtejshëm në proces të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.
Gjithashtu, Dade dhe Bregu diskutuan e ndanë opinione me kryetarët e komisioneve të integrimit dhe të politikës së jashtme, mbi prioritetet e Presidencës së BE-së për 6 muajt e ardhshëm dhe nevojën për të shtuar fokusin mbi politikën e zgjerimit.



