Analisti Aleksandër Çipa rinumërimin e votave për qarkun e Tiranës dhe të Fierit, e sheh si pozitive për opozitën, por cilëson shqetësuese nëse do të ketë ndryshim mandatesh mes partive dhe kërcënim të integritetit të procesit zgjedhor.
Duke folur për “MCN Live” ai tha se hapja e kutive për Tiranën, për publikun është lajm i mirë dhe se opozita duhet të ndihet mirë pasi merret në konsideratë institucionalisht një kërkesë politike e saj që shkon në linjë me refuzimin që i ka bërë rezultatit zgjedhor.
Tirana dhe Fieri janë dy qarqet kryesore. Nëse do të ketë diferencë mes rezultatit të parë me rinumërimin, merr vlerë tjetër pretendimi i palës që e konteston rezultatin e arritur në 11 maj dhe mazhorancës që është në mandatin e katërt.
Nëse ka lëvizje mandatesh që kalojnë nga shumica te pakica parlamentare, ky është problem serioz. Por nëse do ketë lëvizje mandatesh brenda të njëjtit kah, rihap një diversitet.
Për Tiranën kjo çështje prek më shumë Partinë Demokratike, ndërsa për Fierin është ndryshe. 40% e kutive të votimit po numërohet, duke qenë se Tirana bashkë me Fierin zë kaq në rang kombëtar.
Nëse do ketë zhvendosje të mandateve nga shumica drejt opozitës, kjo cenon besueshmërinë e procesit zgjedhor. Rama është shfaqur i qetë dhe qëllimisht e bën, që ja unë nuk e intimidoj procesin.



