
Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në një intervistë për radion “Evropa e lirë”, ka folur me tone të ashpra për rolin e Bashkimit Europian për Dialogun, duke vlerësuar se ndërhyrja e Shteteve të bashkuara do të jetë vendimtare. Sipas tij, Përfaqësuesit e Be Jozef Borel dhe Miroslav Lajçak vijnë nga vende që u e kanë njohur Kosovën dhe se tryeza e dy shtatorit në Uashington është shpresëdhënës.
“Ne e kuptuam që BE-ja e delegoi çështjen e dialogut në nivel të BE-së, në këtë rast te zoti Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Të dy janë jonjohës, vijnë nga vende jonjohëse të pavarësisë së Kosovës. Me këtë, BE-ja në një mënyrë na e zbehu shpresën për suksesin e pritur, pra për nevojën e një rezultati final në procesin e stërzgjatur të dialogut. Duke parë këtë gjend+je, ne e kemi kuptuar drejt se shpresa tash na ka mbetur vetëm në Uashington”.
Për këtë arsye, Haradinaj thotë se i ka kërkuar kryeministrit Avdullah Hoti që të bëjë hapa prapa në këtë agjendën e deleguar të dialogut te Borrell dhe Lajçak dhe të kërkojë Uashingtonin.
Ndërkaq, Haradinaj thotë se Kosova shkon në Uashington vetëm për njohje reciproke.
“Në Uashington po shkojmë për marrëveshje, për njohje reciproke në kufi ekzistues. Nëse rrethanat e sjellin këtë marrëveshje, po shkojmë për këtë marrëveshje, por nëse ka përparim, marrim edhe përparimin cilido qoftë ai.”
Sa i përket shpresave për arritjen e një marrëveshjeje, Haradinaj thotë se është moment ideal, duke rikujtuar se në kohën e administratës së Klintonit, Kosova është çliruar, në kohën e Bush është njohur, ndërsa në kohën e Trump mund të arrihet njohja edhe nga Serbia.



