Studiuesi Niko Kotherja duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv për vendosjen e bustit të Llazar Fundos në Korçë shprehet se ky qytet ia kishte borxh diçka të tillë jo vetëm Fundos, por edhe familjes së tij. Kotherja vë në dukje se familja Fundo ka kontribuar në lëvizjet politike, kulturore dhe në formësimin e idesë kombëtare.
“Mendoj që Korça i kishte një borxh jo vetëm Fundos si Llazar, por i kishte një borxh edhe familjes së tij. Kam patur fatin të bashkëjetoj me këtë familje, pasi edhe banesa ime gjendet afër shtëpisë së familjes Fundo, ajo është jo thjesht një monument kulture sa i përket kohës kur është ndërtuar, por edhe për momente historike që kanë kaluar atje. Në një prej dhomave të kësaj familje ka bujtur Fan Noli në vitin 1923. Prej asaj shtëpie kanë dalë edhe figura të tjera të shquara në shkencat ekzakte. Me vendosjen e bustit të Zai Fundos i bëhet një homazh jo vetëm figurës së tij, por edhe familjes Fundo, voskopojare, por të vendosur hershëm në Korçë.
Një plejadë njerëzish që s’kanë kontribuar vetëm në lëvizjet politike, por edhe kulturore, në formësimin e asaj ideje kombëtare në momentin kur kanë vepruar. Ishte një idealist dhe kjo s’duhet harruar. Normalisht i përkiste bindjeve të majta, dhe është bërë pjesë e formacioneve të ndryshme. Por është shembulli më ideal për të treguar se si një njeri që i beson një ideje, bie viktimë e idesë së tij. Kur Fundo e kishte kuptuar se çfarë do të ndodhte, ai i shkruan Nolit dhe i thotë që Komunizma që ne idealizonim si Krishti, për nga ligësitë ia kalon edhe djallit”.



