
Rreth 1 miliardë lekë të vjetra janë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në Gjirokastër, sipas deputetit të PD-së, Tritan Shehu. Gjatë një vizite në Bashkinë e Dropullit, Shehu tha se rreth 400 familje të zonës janë izoluar për shkak të shembjes së urave dhe prishjes së rrugës.
“Janë shembur 5 ura dhe dëmtuar kilometra rrugë që kanë izoluar tërësisht rreth 400 familje të asaj zone. I vetmi komunikim i mbetur për ata është ai me Greqinë. Dëmi llogaritet në rreth 1 miliardë lekë të vjetra”, tha Shehu.
Shehu kërkoi që Bashkia dhe qeveria të ndihmojnë qytetarët me ndihmë financiare.
“Do të kërkojmë që Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës të miratojë mbështetje financiare për aktivitete të tillë ekonomike të dëmtuara rëndë nga përmbytjet. Ndryshe pasojat do të jenë shkatërruese jo vetëm për ato biznese, por edhe për ekonominë në agoni të Qarkut Gjirokastrës”, tha Shehu.



