Kur kanë kaluar 13 muaj pas kallëzimit në SPAK për shembjen e Teatrit, Partia Demokratike ka kërkuar sot informacion për ecurinë e hetimeve.
Përmes sekretarit të Çështjeve Ligjore Çlirim Gjata dhe deputetes së zgjedhur, Flutura Açka, PD thotë se Rama-Veliaj kanë kryer nëntë vepra penale për interesa korruptive.
Sipas Gjatës dhe Açkës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, SPAK i ka duart e lira, porse sipas tyre, lufta kundër korrupsionit, po bëhet me pikatore dhe shumë e vonuar.
Në emër të PD-së, ata kërkuan transparencë për hetimin ndaj Ramës dhe Veliajt për Teatrin.
ÇLIRIM GJATA: Jemi këtu për t’i kërkuar SPAK informacionin se çfarë ka bërë me kallzimin tonë, pa folur se ka mbi 10 kallzime të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Çfarë ka bërë me këto hetime? Përse SPAK vonohet kaq shumë, përse nuk ka transparencë? Brenda asaj që quhet sekret hetimor, duke ruajtur sekretin hetimor, brenda ligjit, duhet dhënë një informacion, nëse ka thirrur njeri, ka marrë ndonjë dokument, ndonjë provë, ndonjë kqyrje në vendngjarje. Çfarë ka bërë deri tani? Ne kërkojmë që të na kthejnë përgjigje.
SPKAK po vonohet shumë në misionin e tij.
Ne, Partia Demokratike përkrahim çdo veprim të SPAK dhe kujtdo qoftë në luftën kundër korrupsionit, kundër abuzimit, por kjo luftë po bëhet me pikatore dhe shumë e vonuar. Prandaj ne kërkojmë që brenda caqeve ligjore të bëhet transparencë ku jemi, çfarë ka bërë me kallëzimet tona, veçanërisht me kallëzimin e 13 muajve më parë, në raport me shembjen e Teatrit Kombëtar. Aty fajtor janë kryeministri me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Tani pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, SPAK i ka duart e lira, nuk e pengon asgjë të marrë masat, madje të vendosë edhe nën arrest, duke filluar edhe me kryetarin e Bashkisë. Së pari, të na kthejë përgjigje se e ka detyrim ligjor se çfarë ka bërë me kallëzimin tonë.
FLUTURA AÇKA: Ne të gjithë jemi njohur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 2 Korrik për çështjen e Teatrit. Dhe sigurisht jemi duke pritur për arsyetimin më të gjërë që të krijojmë një panoramë për çështjen. Por nuk ka dyshime që qasja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ka lidhje me protestën e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe natyrisht ka lidhje me respektimin e shtetit ligjor. Mendoj se ky vendim është një lloj kambanë kujtese për politikën shqiptare që të fillojë një sjellje të re, veçanërisht, ndaj trashëgimisë kulturore.
Ku e gjen Erjon Veliaj të diskutojë, të intimidojë dhe të përmendë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilët me vendimin e tretë për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar nuk paskan qenë në unison.
Kam përshtypjen që me këto deklarata SPAK duhet të mbajë shënim, ndoshta këto kanë prapavijën e një forme fushate shtrigash, kundër njerëzve të cilët duan që më në fund ligji të bëjë punën e tij. Jam e bindur që pas këtij vendimi, pas kësaj këmbane kujtese për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, përgjegjësit duhet ë mbajnë përgjegjësi deri në fund. Nuk është fjala vetëm për godinën e Teatrit Kombëtar, është fjala për të gjithë rekuizitën, është fjala për të gjithë prapavijën, e cila u shkatërrua bashkë me Teatrin Kombëtar. Ata, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi qoftë për kopsat, qoftë për xhaketat, qoftë për xhaketën e Arturo Ui-së e deri tek opingat dhe këpucët e shfaqjes së fundit të gardianit të ‘Shtrigave të Salemit’, në mënyrë që kjo luftë shtrigash kundër kulturës shqiptare të marrë fund.



