Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kolonjë për të prezantuar kandidati ne Aleancës për Shqipërinë Europiane, Ilia Stefo, për bashkinë e Kolonjës.
“Kur erdha këtu më thanë që kishte shumë mësuese që donin të ishin në këtë miting, por ashtu siç nuk ka ndodhur kurrë më parë vetëm pasi kemi ardhur ne në këtë qeveri, jo vetëm që mësuesit dhe nxënësit nuk lejohen të marrin pjesë në miting, por ne u themi që detyra juaj është të jeni në klasë”, tha Rama, duke shtuar se ky është një ndryshim i madh mes zgjedhjeve që i janë ofruar kolonjarëve më 20 nëntor.
“PD, jam i bindur që kur Ilia të fitojë, do të thotë e ç’lidhje kishim ne me atë punë. Unë nuk e njoh kandidatin tjetër, por njoh mirë Saliun, njoh mirë Lulin dhe PD dhe njoh mirë shprehjen e popullit, që kush fle me ato, zgjohet me ato. Keshtu që më thuaj me kë rri të të them se cili je. Nga ata që rrinë më Lulin e Saliun asgjë e mirë nuk mund t’i vijë askujt aq më tepër Kolonjës”, tha Rama.
Në 20 nëntor, tha Rama, “është shumë e rëndësishme që jo thjesht Ilia të fitojë, por që të gjithë kolonjarët dhe kolonjaret që duan një të ardhme këtu në Kolonjë dhe duan që Kolonjës t’i kthehet shkëlqimi që ka pasur njëherë e një kohë, por që të marrin pjesë në votim që të gjithë me bindjen që nuk është thjesht një çështje votash, por një çështje morale dhe politike, për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë Shqipërisë dhe politikës në Tiranë se populli e ka bërë zgjedhjen e tij dhe nuk ka ndërmedn për disa kohë të ndryshojë drejtim”.
“Kush nuk voton, kush nuk shkon të votojë, mban anën e krahut të gabuar, mban anën e zgjedhjes më të keqe, sepse një votë që i mungon zgjedhjes më të keqe, eshtë një votë më pranë anës së gabuar dhe zgjedhjes së keqe”, tha Rama.



