
Gjatë një aktiviteti me gra dhe vajza në Tiranë, kryeministri Rama foli për disa nga gratë më të rëndësishme të PS. Ndërsa i prezantonte ato si kandidate, Rama tregoi edhe histori të shkurtra të asaj se si u bënë ato pjesë e PS-së. Ndër to, Rama kujtoi historinë e njohjes me Mimi Kodhelin, ndër bashkëpunëtoret e tij gjatë detyrës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, më pas ministre e Mbrojtjes në kabinetin e tij dhe aktualisht kandidate në listën e Tiranës. Rama tha se njohja me Kodhelin e ka origjinën që në rininë e hershme, kur ajo “ishte një superkinge me flokë të gjata” dhe ai një i ri që luante basketboll.
Mimi është këtu sot, pas një rruge shumë të gjatë. Me Mimin kishim një lidhje të largët në kohë të largët, për shkak të prindërve. Unë isha i vogël kur prindërit e Mimit vinin për vizitës tek shtëpia jonë, bashkë me Mimin. Mimi ishte një super kinge, me flokë të gjata, nga ato lloj kingesh që, kur futet në jetën e një pubertari, krijojnë fantazira dhe ne kishim një fushë basketbolli poshtë pallatit dhe unë gjuaja që të tregoja sa i zoti isha për të bërë kosha, por deri këtu, asgjë më shumë se kaq. Më pas, shumë vite nuk u takuam më e më pas, Mimi punonte në sektorin bankar dhe erdhi me mua të punonte në Bashkinë e Tiranës. Më pas historinë e dini, por e rëndësishme është që edhe Mimi është një tjetër vajzë, grua, që është këtu për një arsye.



