
Qeveria do të angazhohet për shkatërrimin e plotë të armëve të tepërta duke nisur që nga viti 2019. Në aktivitetin “Lufta kundër trafikimit dhe mbajtjes së armëve”, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe ai i Jashtëm, Ditmir Bushati, prezantuan bashkëpunimin me nismën franko-gjermane.
Xhafaj tha se nga viti 2014-2017 numri i vrasjeve është ulur ndjeshëm pas fushatave ndërgjegjësuese për dorëzimin e armëve, por vendi vuan ende pasojat e ‘97.
“Keqpërdorimi i armëve përbëjnë një rrezik serioz për të gjithë ne. Përdorimi i tyre nga organizatat kriminale e më pas nga celulat terroriste mbetet problematik. Shqetësimi i kalon kufijtë rajonalë. Tragjedia kombëtare e vitit 1997 që zhvendosi në masë armë nga depot në duart e qytetarëve ka prodhuar e vazhdon të prodhojë fatkeqësi me humbje jetësh njerëzore. Është dashur një punë e jashtëzakonshme në vitet për të zbutur efektet e asaj çmendurie. Shqipëria ka arritur rezultate të mira në luftën kundër trafikimit të armëve”, tha ai.
Xhafaj tha se viti i ardhshëm do të shënojë nisjen e operacionit për shkatërrimin e plotë të armëve të tepërta.
“Janë ndëshkuar rastet e armëmbajtjeve pa leje, kjo ka çuar në ulje të ndjeshme të vrasjeve me armë zjarri. Këto shifra janë shumë më të ulëta edhe në këtë vit që jemi. Por përsëri me mesatare të ulët në krahasim me standartet e BE. Fushata ndërgjegjësuese për dorëzimin e armëve ka rezultuar përgjithësisht pozivite. Ministria e Brendshmme është e angazhuar që në vitin 2019 të nisë operacionin për shkatërrimin e plotë të armëve të tepërta. Reformat e vëna në lëvizje kanë pikërisht këtë qëllim”, tha Xhafaj.



