Analisti Baton Haxhia ka komentuar protestën e fundit të opozitës dhe atë që po quhet “Goditja e Vilës 31”, në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV.
Haxhia u shpreh kritik ndaj mënyrës se si po zhvillohet përplasja politike, duke e cilësuar situatën si “katastrofë” në aspektin kulturor dhe strategjik, ndërsa theksoi se dhuna ndaj protestës është një akt frikacak.
Kur flasim kulturarisht është katastrofë, por dhuna mbi protestën është frikacake. Një prej njerëzve që duhej të ishte kundër kësaj ishte kryetari i opozitës, i cili e ka prekur dhunën që në vitet ’90. Nëse e sheh diskursin dhe fjalitë që përdor doktori, ato janë po aq të vjetra.
Sipas tij, retorika e përdorur sot i përket një epoke të kaluar dhe nuk i përgjigjet realitetit aktual politik e shoqëror.
Kjo do të shkruhet me shkronja të arta si historia e rrëzimit. Ajo që ai përmend nuk ekziston; ajo që ekziston në gjuhën e tij është dëshira për pushtet.
Haxhia shtoi se opozita po tregon paaftësi strategjike në lidership, duke e cilësuar mënyrën e mbajtjes së pushtetit brenda partisë si një veprim që shërben më shumë për mbijetesën personale të liderit sesa për interesin politik.
E ashtuquajtura protestë e opozitës është në fakt dhunë ndaj vetvetes. Kjo është një vuajtje e liderit dhe e vetë opozitës. Është një propagandë që nuk ka më kuptimin e viteve ’90. PS është në vitin e 14 të saj dhe me kaq ndryshime të njerëzve dhe kaq probleme që ka vetëm një parti si PD mun ta mbajë në pushtet.
Në përfundim, Haxhia theksoi se opozita aktuale, sipas tij, vuan nga mungesa e diskursit dhe e gjuhës politike. “Ata nuk kanë as diskurs, as gjuhë,” deklaroi ai, duke shtuar se ndryshimet shoqërore dhe sfidat e reja kërkojnë një qasje krejt tjetër nga ajo që po ofrohet aktualisht.



