
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve. Në një postim në Facebook, Meta uron sa më shumë mbarësi e begati për çdo familje.
Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall! Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar! Sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje! Ngjallja e Krishtit na mëson se sa do i pathyeshëm të duket Djalli, nuk ka forcë që mund t’i ndalë dritën dhe të mirën që të mposhtin errësirën dhe të keqen.
Lutja e fundit e Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!” na kujton se veprat e këqija duhet luftuar me kryengritjen e dashurisë. Le të kremtojmë triumfin e jetës mbi vdekjen me besim të palëkundur dhe energji të ripërtërira, me ngjallje të vërtetë të shpresës në zemrat tona për një të nesërme më të mirë, që patjetër do të vijë! Nga mot gëzuar pashkën.
Edhe Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla ka uruar besimtarët ortodoksë për Pashkët. Ajo shkruan se rrugëtimi i Krishtit është më i larti shembull i përkushtimit.
Rrugëtimi i Krishtit është më i larti shembull i përkushtimit. Në natën e acartë të dimrit, Jezusi lindi për të gjithë ne. Në botën e trazuar ku jetoi, u shërbeu me përdëllim të gjithëve. Nga vuajtjet e shkaktuara prej zemërimit, urrejtjes dhe lëndimeve, u kryqëzua për të gjithë ne. “Me vdekje vdekjen shkeli” dhe prej errësirës së thellë u ringjall për të gjithë ne. Gëzuar Pashkën ortodokse!



