
Partia Demokratike del me deklaratë lidhur me komisionin hetimor për inceneratorët, ku gishti i akuzës drejtohet sërish mbi Kryeministrin Edi Rama.
Në qëndrim thuhet se non grata të shpallura dhe të pashpallura, janë bërë bashkë në mbrojtje të korrupsionit të inceneratorëve, dhe në mbrojtje të ministrave e zyrtarëve që pritet të shkojnë në burg.
Në këtë linjë shtohet se komisioni hetimor ka nxjerrë para shqiptarëve të vërtetën e madhe se si janë vjedhur miliona euro me bekimin e Edi Ramës.
PD shton se komisioni hetimor po fakton çdo ditë me dokumente përfshirjen e ministrave dhe ish ministrave dhe se kjo ka shqetësuar shumë ortakët e tyre “nga partia e re e Ilirit dhe non gratës”.
Më tej nënvizohet se PD, do vazhdojë ta bëjë detyrën e saj, për të zbardhur me fakte se si janë vjedhur shqiptarët dhe kush ka përfituar nga kjo vjedhje.
“Inkurajojmë SPAK të veprojë pa humbur kohë e te çojë para drejtësisë, urdhëruesit, abuzuesit, shpërdoruesit dhe përfituesit e 430 milione eurove të marra nga xhepat e shqiptarëve. Edi Rama është i korruptuar. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të këtë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit”, thuhet në mbyllje të qëndrimit.



