
Parlamenti Evropian ka miratuar sot vendimin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë, që jetojnë në Kosovë, të cilët pajisen me dokumente nga Drejtoria koordinuese në Beograd, , raporton Radio Evropa e Lirë.
Bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur Bashkimi Evropian i hoqi vizat për shtetasit e Serbisë.
Nga Aeroporti i Prishtinës nuk është e mundur të udhëtohet me pasaportë të lëshuar nga Drejtoria Koordinuese e MPB-së së Serbisë në Beograd për qytetarët e Kosovës, sepse autoritetet e Kosovës e konsiderojnë të paligjshme. Megjithatë, poseduesit e këtyre pasaportave mund të udhëtojnë nga çdo vend i rajonit.
Komisioni Evropian në muajin nëntor të vitit të kaluar kur rekomandoi heqjen e vizave edhe për bartësit e këtyre pasaportave, si arsyetim dha qëllimin që të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor të gëzojnë liberalizimin e vizave, pa marrë parasysh se çfarë pasaporte posedojnë. Ky propozim i Komisionit Evropian erdhi pasi ishte e qartë se nga 1 janari shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Schengenit.
Vendimi i së martës u miratua në seancën plenare të Parlamentit Evropian me 406 vota për, 97 kundër dhe 94 abstenime.
Ky votim në Parlamentin Evropian është hapi i fundit në këtë institucion të BE-së drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e këtyre pasaportave. Raportin, i cili u votua të martën në seancë plenare, e ka përpiluar deputeti nga Sllovenia Matjazh Nemec.
Ai ka thënë se me raportin e tij nuk ka për qëllim të zgjidhë ndonjë çështje politike apo mospajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por, siç u shpreh ai, një problem praktik dhe teknik për të siguruar lëvizjen e lirë dhe për të siguruar trajtimin e barabartë.
Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”.
Për Qeverinë e Kosovës problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria koordinuese e Serbisë në Beograd shkruhen vendbanimet në territorin e Kosovës sikur të jenë në Serbi, që është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në dialog për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë.
Por, argumentet e Kosovës nuk ishin marrë parasysh nga institucionet e Bashkimit Evropian, as nga Komisioni Evropian, nga Parlamenti Evropian e as nga Këshilli.
Pas votimit të sotëm në seancën plenare të Parlamentit Evropian, ka mbetur vetëm që Këshilli i BE-së ta formalizojë vendimin dhe ai të hyjë në fuqi.



