Nga data 25 Dhjetor deri ditën e zgjedhjeve qeverisë i ndalohet dhënia e kontratave publike të koncesionit, për të cilat nuk është bërë njoftim publik se do të zhvillohen, nuk janë vijim i një procedure koncesionare të nisur, apo nuk janë parashikuar për t’u financuar nëpërmjet buxhetit të miratuar të vitit zgjedhor.
Komisioni Rregullator pas dy shtyerjeve të mbledhjeve ka pranuar të miratojë propozimin e opozitës jo-parlamentare. Kjo masë bllokuese ndaj qeverisë është pjesë e dakortësisë së 5 qershorit, e cila është përkthyer në projektvendim nga nga KQZ. Në katër muajt e ardhshëm kryeministrit, ministrave dhe kryetarëve të Bashkive nuk u lejohet të promovojnë publikisht masa favorizuese ndaj qytetarëve.
Ishte anëtari i Komisionit Rregullator Muharrem Cakaj, përfaqësues i LSI-së, ai që e bëri këtë propozim më herët në KQZ.
“Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve ndalohet dhënia e kontratave publike te koncesionit/PPP, për të cilat nuk është bërë njoftim publik se do të zhvillohen, nuk janë vijim i një procedure koncesionare të nisur, apo nuk janë parashikuar për t’u financuar nëpërmjet buxhetit të miratuar të vitit zgjedhor”, thuhej në propozimin e Cakajt.



