"Qëllimi im është që ta ndihmojmë diasporën për ruajtjen e identitetit, edukimin e fëmijëve dhe mësimin e gjuhës shqipe." Kështu është shprehur ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili deklaroi se institucioni që ai drejton përpiqet për organizimin e diasporës, por pa iu imponuar komunitetit të shqiptarëve jashtë vendit. Ai tha se pavarësisht se pjesëtarët e diasporës kanë pikëpamje të ndryshme politike, synohet që të nxiten veprime në ndihmë të interesave të komunitetit.
Majko tha se në Nju Jork, falë interesimit të pushtetit lokal dhe lobingut të diasporës, në shkolla do të hyjë mësimi i dy-gjuhësisë, gjuha shqipe do të mësohet krahas me anglishten dhe se ka shpresa që ky shërbim të hyjë edhe në shtete të tjera amerikane.
Ministri Majko shtoi se qeveria shqiptare ka filluar punën për një projektligj që do të lidhet me një fond për zhvillimin e diasporës. Ai tha se në diasporë ka një pasuri të jashtëzakonshme njerëzore dhe intelektuale, por sekreti në punën me të, qëndron tek mënyra e komunikimit. Ministri Majko tha se po përpiqet të krijojë në administratën shqiptare një atmosferë të mirë për investitorët nga diaspora, pasi kjo administratë është mësuar të punojë vetëm me investitorë nga Shqipëria.
Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, Majko foli edhe për nevojën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës.



