
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave dhe pretendimeve që, sipas tij, qarkullojnë në rrjetet sociale dhe janë kthyer në “të vërteta të fabrikuara” përmes përsëritjes së vazhdueshme.
Rama u ndal veçanërisht te pretendimet për përfshirjen e tij në takime në Aruba, duke i mohuar ato kategorikisht, si dhe te akuza të tjera që lidhen me jetën e tij personale dhe me etiketime publike.
Ai iu referua edhe kritikës së Fatos Lubonja, duke theksuar se, sipas tij, në epokën e algoritmeve, përsëritja e vazhdueshme e një narrative e bën atë të perceptohet si e vërtetë, pavarësisht mungesës së fakteve.
Fatos Lubonja kërkon llogari nga unë për Arubën. Në të gjithë historinë e njerëzimit, që kur janë vendosur rregullat e qytetërimit romak, llogaria jepet në bazë të fakteve. Çfarë vlere ka që unë të them se nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë, nuk kam dërguar kurrë njeri?
Këto nuk kanë vlerë, sepse Aruba është bërë e vërtetë, është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit, është ricikluar në pafundësi dhe është bërë e vërtetë. Siç është bërë e vërtetë që unë jam një konsumator kokaine. Fjala “drogagji”, “ik mor drogagji”, është një refren që mua më ndjek si e vërtetë.
Siç është e vërtetë që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe dhe për atësinë e djalit tim, është bërë e vërtetë çfarëdo të them unë. Nuk kanë rëndësi letrat e gjykimit, algoritmi e ka bërë të vërtetë, siç kanë bërë të vërtetë që unë jam një kusar që marr pjesën time nga çdo lloj gjëje që bëhet në Shqipëri. Për këtë arsye nuk e them këtë gjë rregullisht, se nuk ka asnjë vlerë.



