Në përgjigje të mbledhjes së KQZ-së që nuk u zhvillua dje, kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp, duke thënë se është e vendosur të shkojë në zgjedhjet e 13 tetorit dhe se i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Zyrtar të Zgjedhjeve që të fillonte përgatitjet për zgjedhje në këtë datë.
Ai ka akuzuar anëtarët e mazhorancës se duan të shkatërrojnë zgjedhjet ligjore. Sipas tij nuk do të ketë asnjë hap pas dhe zgjedhjet do të zhvillohen më 13 tetor me çdo kusht.
“Opozita Shqiptare i kërkoi zyrtarisht Komisionit Zyrtar të Zgjedhjeve, që të fillonte përgatitjet për datën e 13 tetorit që janë dhe data e ligjshme e zgjedhjeve e dekretuar nga presidenti I Republikës.
Po dje organizata socialiste në KQZ u fsheh dhe bojkotoi detyrimet kushttetuese dhe ligjore duke u thelluar në mënyrë të rëndë në paligjshmërinë e vet dhe përfundimisht mori përgjegjësinë që të shkatërronte zgjedhjet e 13 tetorit, t’u hiqte mundësinë të gjith apartive të opozitës dhe të mazhorancës që të marrin pjesë në zgjedhjeve…”
Në deklaratën e tij, Vasili theksoi domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që të mos përsëritet situata e viteve ’90, situata e tanishme dhe madje vetë periudha e diktaturës. Ai solli në vëmendje dhe renditi sërish akuzat për Rilindjen, e cila, sipas tij e ka çuar vendin në një krizë shumë të rëndë politike, sociale dhe ekonomike dhe shprehu vendosmërinë për zgjedhjet e tetorit.
“Opozita shqiptare është e palëkundur në bindjen dhe në vullnetin e saj se kriza shumë e rëndë politike, sociale dhe ekonomike ka vetëm e vetëm një zgjidhje. Kjo zgjedhje është, zgjedhjet e menjëhershme në datën e dekretuar nga presidenti, me standard të larta, të lira dhe të ndershme, si përgjigjja më e mirë dhe instrumenti i vetëm për daljen nga kriza shumë e rëndë ku kemi hyrë. Pa zgjedhje të lira e të ndershme që është edhe kyçi i zgjidhjes nuk do të ketë integrim europian, por do të ketë izolim dhe largim nga Europa, duke u kthyer në kohët e errëta të viteve ’90. Nuk do të ketë shtet ligjor… nuk do të ketë reformë në drejtësi, por do të ketë vetëm një paçavure si kjo që shikoni sot, ku të ligjshëm e të paligjshëm hyjnë e dalin si në një han pa porta vetëm e vetëm me urdhër të Rilindjes në pushtet. Nuk do të ketë kurrë mbrojtje të pronës publike që rrëmbehet në mes të Tiranës siç është Teatri Kombëtar, por edhe asaj private ku deri tek apartamentet, pronat e ligjshme rrëmbehen nga banditët në pushtet… Edhe komunizmi ka qenë më i kujdesshëm në shpronësimet e qytetarëve… Pa zgjedhje të ndershme do të ketë festë për konçesionet miliardëshe, drejtësia do të jetë vetëm në shërbim të pushtetarëve, …borxhe qindramilionëshe si ai i Beketit, …për heqjet e vëniet në administratë, gjyqe të tjera… Pa zgjedhje të lira të ndershme nuk do të ketë kurrë hetim të dosjes 339, e cila më parë hetohet e merren vendimet në ShBA, sesa nga prokuroria shqiptare e Arta Markut, e cila nuk kohë as ta hetojë as ta zbardhë dosjen. As për dosjen 184 ku të tërë afendikonjtë rilindas hajdutë të përzier me kriminelë kanë rrëmbyer e plaçkitur votën, duke ndërtuar këtë monstër që qeveris Shqipërinë.
…Opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas për realizimin e zgjedhjeve të menjëhershme në kohën e ligjshme, në datën e ligjshme, në përputhje me atë që Kushtetuta e vendit nëpërmjet dekretit të Presidentit, ka vendosur e vendos.”



