
Fill pas ripostimit të takimit mes sekretarit amerikan Antony Blinken dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, ambasadorja amerikane Yuri Kim ritheksoi mesazhin e e SHBA-ve drejt Shqipërisë.
Diplomatja amerikane bëri thirrje, duke përsëritur fjalët e Blinken, mbi nevojën për të zbatuar plotësisht reformën në drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin.
Sekretari Blinken dhe kryeministri Rama u takuan për të festuar 100-vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, shkruan fillimisht Kim”.
Sipas zyrtares amerikane, Blinken vuri në dukje bashkëpunimin e fortë në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mes palëve.
Ndër të tjera, sekretari falënderoi kryeministrin Rama për mbështetjen e qartë të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës kundër agresionit rus.
“Ishte kënaqësi të prisja Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe të festonim 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Ne mirëpresim 100 vitet e ardhshme”, tha Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken mbi takimin e tij me Kryeministrin shqiptar Edi Rama në Washington D.C.
Sekretari Blinken dhe Kryeministri shqiptar Rama biseduan gjithashtu edhe mbi bashkëpunimin e fortë dhe të vazhdueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë mbi çështjet dypalëshe, rajonale dhe globale.



