Partia Demokratike reagoi për herë të dytë lidhur me emërimin e Albert Dervishajt në postin e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në një deklaratë për shtyp nga selia e blu, ish-deputetja Izmira Ulqinaku tha se me emërimin e Dervishajt është shkelur ligji.
“Tre ditë pas denoncimit të Partisë Demokratike se në krye të Policisë së Shtetit është emëruar një agjent i sigurimit të shtetit, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj vazhdojnë të heshtin. Asnjë fjalë nga Edi Rama, asnjë fjalë nga Sandër Lleshaj, dy njerëzit që kanë emëruar bashkëpunëtorin e sigurimit, në postin e nëndrejtorit të policisë. Kryeministri në ikje dhe shërbëtori i tij, Lleshaj, heshtin, sepse janë ata përgjegjës për emërimet e të inkriminuarve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit në drejtim të Policisë. Albert Dervishaj është emëruar si numri 2 i Policisë së Shtetit në shkelje të ligjit që e ndalon përfshirjen në polici të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Emëruesit e tij në krye të Policisë së Shtetit, heshtin sepse ata e dinë ekzistencën e dosjes me numër regjistri 7559 në degën e sigurimit në Korçë në emrin e Albert Dervishajt”, deklaroi Ulqinaku.
Sipas Partisë Demokratike, Dervishaj ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit për rreth 10 vite.
“Sipas të dhënave, Albert Dervishaj, është rekrutuar nga Sigurimi në datën 24.08.1981 me numër regjistri 7559. Punëtori operativ që e ka tërhequr në bashkëpunim ka qenë Ali Anadolli dhe është mbajtur në bashkëpunim nga punonjësi operativ Qirjako Prifti”, tha Ulqinaku.



