
Pas rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave, ka reaguar edhe opozita në vend. Partia Demokratike ka reaguar përmes deputetes Jorida Tabaku, e cila thekson se kjo është hera e tretë që vendi merr rekomandimin e Komisionit Evropian.
Por Tabaku kujton se ashtu si edhe herët e tjera, Komisioni Evropian e ka “kushtëzuar” Shqipërinë me përparimin e reformës së drejtësisë në veçanti dhe pesë prioritetet kyçe në tërësi, pika të cilat sipas demokrates më shumë po shkelen nga maxhoranca sesa po përparohen.
“Rekomandimi për hapjen e negociatave me kusht që iu dorëzua sot qeverisë Rama është një dështim i asaj çfarë qeveria premtoi këtu e pesë vite të shkuara. Por një dritë jeshile e Europës që ende shpreson se rekomandimi i kushtëzuar do të bëjë më përgjegjëse qeverinë aktuale karshi ëndrrës dhe dëshirës së shqiptarëve. Raporti evidenton qartë se Komisioni do të vëzhgojë imtësisht ritmin aktual të reformës në drejtësi si një pikë kyçe e një shteti ligjor, sikundër i rikujton qeverisë pesë prioritetet të cilat zënë vend të veçantë në bilancin e vendit përballë Europës. Ndonëse përballë këtyre sfidave deri më tani qeveria është dorëzuar. Mjafton të kujtojmë se përpjekjet e qeverisë ndaj pesë prioriteteve të BE-së (reforma e sistemit të drejtësisë, reforma e administratës publike, lufta ndaj korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar, dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut) janë të barabarta me zero. Mjafton të kujtojmë se përpjekjet e qeverisë për zbatimin e reformës në administratë publike janë në fakt përpjekje të qeverisë për të “marrë tepsinë për veten e saj”. Beteja e qeverisë ndaj krimit të organizuar në fund të ditës është shndërruar në një betejë të qeverisë për të mbrojtur ish ministrin e brendshëm të akuzuar për bashkëpunim në trafikimin e lëndëve narkotike”, shkruan Tabaku në rrjetin social "Facebook".
Sipas deputetes Tabaku, Partia Demokratike beson se Shqipëria e ka vendin në Europë, për sa kohë të jetë në opozitë nuk ka për ta penguar këtë proces. Përkundrazi, siç e ka treguar do ta mbështesë pa hezitim.
Ndërsa deputetja e LSI, Klajda Gjosha, deklaroi se ky është një “sinjal”, që fillimisht duhet të zgjojë qeverinë për nevojën për t’u ulur me këmbë në tokë.
“Urojmë që ky rekomandim të shërbejë si një zgjim për qeverinë, për tu ulur me këmbë në tokë, dhe për të ofruar rezultate konkrete për të gjithë ata shqiptarë që jetën e tyre kërkojnë ta ndërtojnë jashtë atdheut, për ata profesionistë që po largohen me shpejtësi, pasi ndihen të pasigurt për rininë që ka humbur shpresën e për të gjithë shtresat në nevojë që janë në kufijtë e mbijetesës”, tha Gjosha.
Përmes një deklarate për median, ish-ministrja e Integrimit, shprehet se “ky është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por në të njëjtën kohë është një detyrim dhe përgjegjësi e madhe për të përmbushur kriteret kyçe të këtij procesi. Ndërkohë që rekomandimi është njëra anë e medaljes, Mbledhja e Këshillit Europian në qershor mbetet një sfidë e madhe për qeverinë shqiptare".
Me tej ajo vijon duke thënë se lidhja e politikës me krimin, korrupsioni, pandëshkueshmëria, mosrespektimi i të drejtës së pronës, mbrojtja shtresave në nevojë si dhe ngritja e mekanizmave të kontrollit për lëvizjen e lirë dhe azilkërkuesit janë ende probleme serioze që cënojnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.



