Kryenegociatori i Shqipërisë për Integrimin në BE, Zef Mazi kërkoi nga shoqëria civile dhe pushteti lokal që të jenë më aktive në procesin e integrimit drejt BE-së. Ai e konsideroi të një rëndësie të veçantë në procesin e integrimit reformën në administratën publike. Ai tha se grupit negociator do t’i shtohet drejtori i përgjithshëm i Administratës Publike.
Duhet një koordinim i fortë midis nesh dhe delegacionit të BE-së. Do të duhet që ne t’i dërgojmë në komision deri në qershor të këtij viti. Një element tjetër është trajnimi i vazhdueshëm. Rritja e kapaciteteve të punonjësve të administratës publike është prioritet. Janë bërë shumë trajnime. Bazuar në urdhrin e kryeministrit, tryeza e diskutimit i hapin rrugës ngritjes së bordit drejtues. Ndihet nevoja për përfshirjen më aktive të shoqërisë civile dhe duhet edhe bashkëpunim i pushtetit lokal. Ato duhet të marrin një rol më proaktiv. Ky është një proces sfidues për të gjithë ne dhe vendin tonë. Thelbi është tek përgjegjësia dhe llogaridhënia, duhet durim strategjik. Sot pritet miratimi i kuadrit negociues i BE-së për Shqipërinë. 27 vendet janë dakord me kuadrin negociues për Shqipërinë, ka mbetur miratimi formal. Nuk mundet më Unioni që mos të përcaktojë datën. Ne e kemi përgatitur kuadrin tonë negociues për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ky dokument është pothuajse gati. Jemi gati për t’u ulur në tavolinë. Ka një lloj konfliktualiteti mes presidentit të RMV-së dhe Bullgarisë.’- tha Mazi.



