
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka deklaruar se shteti serb ka intensifikuar sulmin ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke u angazhuar në diskriminim të hapur dhe ndëshkim politik ndaj institucioneve shqiptare. Rexhepi thekson se Serbia ka ndërmarrë veprime që synojnë bllokimin e ndihmës ekonomike dhe shkatërrimin e autonomisë institucionale të shqiptarëve në Serbi.
Në një postim në rrjetet sociale, Rexhepi ka përmendur sulmet që po bëhen ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke përfshirë refuzimin e regjistrimit të kryetarit të ri të KKSH-së. Ai ka konsideruar vendimin e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social të Serbisë si një akt të hapur armiqësor ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas Këshillit, në dy ditët e fundit, kjo Ministri ka ndërmarrë hapa që përbëjnë një sulm frontal ndaj KKSH-së, duke përfshirë shfuqizimin e vendimit për subvencionet e fermerëve shqiptarë, të financuara nga Fondi i Qeverisë së Kosovës, si dhe refuzimin e regjistrimit të kryetarit të ri të Këshillit, Enkel Rexhepi, përmes argumenteve absurde dhe burokratike.
Ky reagim është një denoncim ndaj politikave diskriminuese të shtetit serb, të cilat sipas Këshillit, synojnë të mbajnë shqiptarët e Luginës të izoluar, të varfër dhe të pamundur për të përfituar nga ndihmat ndërkombëtare.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka bërë të qartë se asnjë dispozitë ligjore nuk ndalon pranimin e fondeve apo donacioneve të ligjshme për qëllime zhvillimi.
Ata janë të vendosur të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Luginës, duke paralajmëruar padinë në Gjykatën Administrative të Serbisë për shfuqizimin e këtyre vendimeve të cilat i konsideron arbitrare dhe diskriminuese.



