14 mijë e 987 zarfa të fletëvotimeve nga jashtë janë pranuar deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ka kërkuar nga KQZ-ja që të shtyhet data kur të pranohen fletëvotimet me postë nga jashtë deri më 13 shkurt.
“Kërkoj nga KQZ-ja që data 13 shkurt, të jetë data deri kur të pranohet posta me fletëvotime nga jashtë. Qëllimi është i ligjshëm. Ne kemi vonesa të tilla si KQZ me vendimet tona, i kemi bërë ato për shkaqe teknike që kanë qenë shumë aplikime. KQZ ta marrë vendimin që postën ta pranojë më 13 shkurt, se ajo nuk e dëmton në asnjë mënyrë votën më 14 shkurt, se ka ardhur pas kësaj vote”, ka thënë Kurteshi.
Kurteshi, ka kërkuar që të publikohet lista e votuesve jashtë vendit e që u është refuzuar aplikimi për votim.
“Është kërkuar që të publikohet lista e personave të refuzuar dhe që janë pranuar që kanë të drejtë me e dërgu votën. Këto lista duhet të përputhen sepse me gjasë ka njerëz që nuk e dinë dhe nuk e shohin veten në listën e atyre që kanë aplikuar suksesshëm dhe janë konfirmuar. Kjo është një problem dhe kishte me qenë e drejtë që të publikohet përfundimisht lista përfundimtare e personave të refuzuar”, ka thënë Kurteshi.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ’së, Burim Ahmetaj, i ka thënë Kurteshi se publikimi i kësaj liste nuk është bërë asnjëherë dhe rrjedhimisht sipas tij nuk do të publikohet as tani.
Për këtë ka reaguar edhe kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka e cila tha se po tentohet që të kontrollohet ky institucion.
“Faleminderit që më keni bërë kaq të fuqishme. Unë jam personi që kontrollojë krejt. Faleminderit shumë. Çdo mbledhje e kthyer në teatër, sepse jemi kthyer në serialin Kasandra, se di cili episod jemi. Ne mund të vazhdojmë të gjitha çështjet ligjore. E gjithë fushata juaj kundër meje është kthyer në personale sepse po iu pengon Valdete Daka”, ka thënë ajo.



